Meqë po pihet espresso, a do t’u lihet “kafja greke” turqve?

Grekët e kanë dashur kafenë për shekuj. Sot, ata më shumë pinë kafe për kokë banori sesa francezët dhe italianët, madje gati sa amerikanët, dhe mund të kalojnë me orë të tëra në javë nëpër kafene. Veç kësaj, ata janë krenarë me kafenë e tyre, dhe, po e quajte “kafe turke” në vend të “kafe greke” përgatitjen e tyre të kafesë, ti praktikisht kërkon duel në ishujt grekë.

 

Ndërsa kafja mund të jetë krenari kombëtare, grekët sa shkojnë e pinë më shumë përgatitjet jo greke të kafesë: espresso. Këtë mund ta quajmë një shenjë më shumë të globalizimit.

 

Restorantet e reja në Athinë po specializojnë në shërbimin e espressos, duke i përgatitur shankistët për të. Janë shfaqur dhe kompanitë që pjekin kafenë, kështu që në mesin e këtij trendi kafja “greke” është lënë në rend të dytë.

 

Edhe industria e turizmit është kapur për espresso. Sot, hotelet e reja po instalojnë aparatet industriale të espressos në kuzhinat e tyre, diçka që s’e kanë bërë për vite më herët.

 

Krysa Gjeroljmetou, drejtori i përgjithshëm i Mikel Coffee Co., beson se dashamirësit grekë të kafesë tashmë e shohin espresson si një zgjidhje më moderne. Cilado që të jetë arsyeja, espresso, pa dyshim, është duke e zënë kafenë “greke”. “Paramendojeni sesi në vitet e 90ta ke pasur vetëm dy zgjidhje: kafe tradicionale greke dhe instant kafe”, thotë ajo.

 

Ndërsa espresso ka qenë në Greqi për diku rreth dy dekada, ajo nisi të popullarizohej vetëm para nja 10 viteve.

 

“Pirja e kafesë dhe dalja jashtë me shokët është pjesë e identitetit tënd social”, thotë shkruesja greke Marianthi Milona. Ajo thotë se, pavarësisht vështirësisë ekonomike të kohëve të fundit, shumë grekë që u lidhën për espresson vazhduan ta preferonin atë.

 

“Ti mund të kursesh paratë duke mos blerë veshje dhe ushqim të shtrenjtë, por, si një grek, ti gjithmonë duhet të gjesh para për një filxhan kafe”, shpjegon Milona.

 

Aparatet po shkojnë duke e shtuar edhe nëpër shtëpi. Sipas Euromonitor International, një firmë hulumtuese, shitja e aparateve të espressos për shtëpi është shtuar për 40% nga 2008 deri në 2013. Prognoza parasheh vazhdim të këtij trendi për së paku edhe 5 vjetët e ardhshme.

 

Kjo s’është hera e parë që një kafe e jashtme reformon kulturën greke të kafesë. Në mesin e shekullit 20 grekët përqafuan vlerat e kafesë instant – shpesh atë të brendit Nescafe. Kjo mund të tmerrojë snobët e kafesë sot, por asokohe kjo ishte shenjë e modernizmit dhe botës perëndimore.

 

“Kjo kafe ua rikujtonte grekëve identitetin e tyre evropian”, thotë Milona, “diçka që është krejtësisht e ndryshme nga bota lindore”. Dhe e ndryshme nga kafja greke, rrënjët e së cilës shtrihen mbrapa në perandorinë osmane.

 

Nescafe mundësoi lindjen e një kafeje tjetër, që tash konsiderohet si pije greke: frappe, një kafe instant, e rrahur deri në shkumë, që shërbehet me akull dhe pihet me pipëz.

 

Por, tash frappeja mund të zëvendësohet me espresso, thotë Janis Teloumis, një pronar i një kafeneje në Athinë. Kjo sepse espresso, po ashtu, lehtë mund të shërbehet e ftohët, me akull, që është stil i pashmangshëm në verat e nxehta të Greqisë.

 

Por, a do të zëvendësojë espresso kafenë tradicionale greke”

 

“Kurrë”, thotë Milona, e sigurt se grekët s’do ta lënë traditën e tyre.

 

Por, Gjianopulos thotë se kafja greke është e ndërlidhur me shtëpinë, me mëngjeset e përbashkëta familjare të shtunave. Teloumis thotë se kafja greke ka mbetur e popullarizuar tek njerëzit me moshë 65 vjeç e më shumë, kurse Gjeroljmetou pajtohet se të rinjtë, të dhënë pas kulturës moderne të pirjes së kafesë, nuk janë të interesuar në pirjen e paraardhësit të espressos.

 

Krejt kjo do të thotë se, nëse konsumimi i espressos vazhdon të hyjë në kulturën kombëtare të kafesë, kafja greke përfundimisht do t’u lihet turqve.

 

Alastair Bland është një shkrimtar i pavarur, që jeton në San Francisko, dhe merret me fushat e ushqimit, agronomisë dhe ambientit. Ai së voni u kthye nga një udhëtim në Greqi./npr.org