Kultura arabe e kafes

Pirja e kafesë është një pjesë e shprehive dhe traditës së arabëve dhe njerëzve të tjerë. Në shumë vende, kafja është pija më e pëlqyer e ditës. Në rajonin e Mesdheut, kafja ndërlidhet me nacionalizëm. Kushdo që ka udhëtuar në Greqi, për shembull, e di që kërkimi i një “kafeje turke” në një restorant hoteli do të rezultojë në një bisedë të gjatë për të sqaruar se emri i duhur është “kafe greke”. Ngjashëm, nëse një egjiptian do të kërkonte “kafe turke” në Liban, do të merre shikime qortuese, sepse ajo quhet “kafe arabe”.

 

Kafja erdhi nga Afrika në pjesën e hershme të shekullit 16 – së pari në Jemen, pastaj në Mekë, Kajro, Siri, pastaj, në mesin e shekullit 16, në Turqi. Ndonëse disa persona fetarë në oborrin Osman nuk u pajtuan me pritjen e kafesë, kafeneja e parë në Stamboll u hap në vitin 1554. Pastaj Sulltan Muradi III e ndaloi kafenë në fund të shekullit 16. Kafja mbeti e ndaluar nga Perandoria Osmane deri në ligjin rregullues të vitit 1839, i cili rregulloi përdorimin e kafesë në Turqi deri në ditët e sotme.

 

Ka mënyra të ndryshme të përgatitjes së kafesë nëpër botë. Në Perëndim e pinë në gotë të madhe së bashku me vaktin e mëngjesit, dhe disa e pinë në gotë të madhe pasdite. Kafja arabe dallon nga kafja evropiane dhe amerikane sa i përket shijes, vëllimit të gotës dhe metodës së përgatitjes. Metoda e pjekjes dallon mes kafesë arabe dhe asaj perëndimore. Madje edhe mes vendeve arabe ka mënyra të ndryshme të përgatitjes së kafesë. Në Egjipt, për shembull, kafja përgatitet në “mënyrën turke”, me shtresën e shkumës dhe në gotë të vogël. Shkuma është shenjë se kafja është përgatitur në mënyrën e duhur. Në disa ngjarje sociale, siç është fejesa, kafja duhet patjetër të ketë një shtresë shkume, të cilën egjiptianët e quajnë “fytyrë”, dhe njeriu s’mund të shijojë një kafe të “pafytyrë”. Libanezët preferojnë të pinë kafe që zihet njëherë dhe s’ka fytyrë, dhe e pinë sasi më të mëdha sesa egjiptianët. Egjiptianët, po ashtu, e duan çajin, por ky është një tregim tjetër.

 

Arabët e Gjirit Arab, po ashtu, janë kreativ në mënyrën si e përgatitin kafenë. Kafja e tyre dallon nga ajo e Egjiptit dhe e Libanit në kuptimin e hidhësisë dhe llojit të gotës në të cilën shërbehet kafja. E pyeta një mik nga Gjiri për kafen që ai pëlqen të blejë. Ai mori frymë thellë, sikur po kujtonte çaste të këndshme, dhe tha: “Nëse do të blesh kafe arabe me shije të mirë, kërko kafe me ngjyrë të egër”. E mbajta mend këtë emër për shumë vite dhe, kur vizitova Gjirin, vendosa të provoja të blija kafe arabe. Sapo hyn në dyqan në një kryeqytet të shteteve të Gjirit, goditesh nga  aroma e kokrrave pjekura të kafesë. E thua frazën të cilën e ke mbajtur në mend për vite të tëra: “Kafe me ngjyrë të egër”, pastaj shitësi mat një kilogram të kafesë më ngjyrë të zbehur nga Jemeni. Vëren që kokrrat e kafesë në Gji janë të pjekura lehtë në krahasim me kokrrat në Egjipt dhe Liban. Por, dallimi më i madh është në shtojcat: shitësi shton kardamom të gjelbër, shkopinj kanelle, dhe fije shafrani, pastaj i bluan bashkë dhe i vendos në një trastë. Ti paguan për kafenë dhe mbetesh i lumtur me atë që merr.

 

Pasi pi kafe Gjirin Arab, merr dhe hurme për të lehtësuar shijen e hidhët. Sa i përket çmimit që paguan për kafenë, vetëm një pjesë e vogël u shkon pronarëve të plantacioneve të kafesë në vendet e largëta dhe më pak u mbetet atyre që kalojnë ditët në kultivimin e kafesë në kushte mjaft të vështira. Shumica e fitimit i mbetet importuesit, stërshitësit, dërguesve ndërkombëtarë. Pastaj mund të mendosh rreth prioriteteve të harxhimeve të hyrjeve sipas animeve sociale dhe politike. Ti mban gotën me kafe në dorë dhe kujtimet të kthehen mbrapa disa vite, kur për herë të parë kupton dallimi qenësor mes çmimit dhe vlerës në një shembull praktik, global e modern./monitor