Kafeneja e Vjenës: Vendlindja e futbollit inteligjent

Në fillim, kishte kaos dhe futboll pa kurrfarë forme. Pastaj erdhën Viktorianët, të cilët e kodifikuan atë; dhe pas tyre teorizuesit, të cilët e analizuan atë. Deri në vitin 1920, nuk njihej apo nuk diskutohej ndonjë taktikë që do t’i përngjante të kuptuarit modern të lojës, por në pjesën e hershme të vitit 1870, pati njëfarë njohje të faktit se renditja e lojtarëve në fushë ndikonte ndjeshëm në mënyrën sesi luhej loja. Por, në formën e tij më të hershme, futbolli nuk dinte për ndonjë sofistikim të këtillë, kështu që vazhdoi në këtë formë përreth gjysmë shekulli. Që rëndësia e taktikës të njihej si duhet, loja u desh të merrej nga një klasë shoqërore, e cila instinktivisht teorizonte dhe dekonstruktonte, që planifikonte natyrshëm në abstraksion njësoj siç reagonte në fushë, dhe, çka ishte më e rëndësishme, nuk vuante nga mosbesimi ndaj intelektualizmit, që ishte rasti në Britani. Kjo ndodhi në Evropën qendrore mes dy luftërave. Ajo që u demonstrua nga Uruguajasit dhe Argjentinasit, u shpjegua nga pjesa kryesisht çifute e borgjezisë Austriake e Hungareze.

 

Futbolli lulëzoi në Austri në vitet e njëzeta (të shekullit  20), me themelimin e dy ligave profesionale në vitin 1924. Në këtë nëntor, Neues Wiener Journal pyeti “Ku tjetër mund të shohësh të mblidhen 40-50 000 spektatorë të dielën, pas të shtunës, në cilindo stadium sportiv, qoftë në kohë me diell, qoftë me shi? Ku tjetër shumica e popullatës interesohet për rezultatet e lojës, në mënyrë që mund të dëgjosh pothuajse çdo të dytin person të flasë rreth rezultateve të ndeshjeve të ligës dhe prognozat për lojën e ardhshme?” Përgjigja ishte e lehtë: Përveç Britanisë, kurrkund tjetër në Evropë.

 

Por, ndërsa në Britani diskutimi rreth lojërave ndodhte në pijetore (bar), në Austri kjo ndodhte në kafene. Në Britani, futbolli kishte nisur si një kalim kohe në shkollat publike, por nga viti 1930, ai vendosmërisht u bë një sport i klasës punëtore. Në Evropën qendrore, ai ndoqi një rrugëtim më të ndërlikuar; u prezantua nga klasat e mesme dhe të epërme anglo-file, u adoptua në mënyrë rapide nga klasa punëtore dhe pastaj, ndonëse shumica e lojtarëve mbeten klasë punëtore, u kap nga intelektualët.

 

Futbolli në Evropën qendrore ishte pothuajse krejtësisht një fenomen urban, i përqendruar rreth Vjenës, Budapestit dhe Pragës; pikërisht qytetet ku kultura e kafenesë ishte mjaft e theksuar. Kafeneja lulëzoi nga fundi i Perandorisë Habsburge, duke u bërë një sallon publik, një vend ku përziheshin burra e gra të të gjitha klasave, por e cila u dallua sidomos për aspektin e saj artistik e bohemik. Njerëzit aty lexonin gazetën, merrnin postën dhe lavenderinë, luanin me letra dhe shah. Kandidatët politik i përdornin ato si vendtubime dhe për debate, ndërsa intelektualët dhe ndihmësit e tyre diskutonin çështjet e mëdha të ditës: artin, literaturën, dramën, dhe, sidomos në të njëzetat, futbollin.

 

Secili klub kishte kafenenë e vet, ku përziheshin lojtarët, ndihmësit, drejtorët dhe shkrimtarët. Tifozët e Vienna Austria, për shembull, takoheshin në Cafe Parsifal; tifozët e Rapid-it në Cafe Holub. Qendra e skenës së futbollit në vitet mes luftërave ishte Ring Cafe, ku rrinte komuniteti anglo-fil i kriketit. Por, nga viti 1930, ajo u bë qendra e një komuniteti më të madh të futbollit. Sipas një artikulli të shkruar në Welt am Montag pas luftës, ajo ishte një lloj parlamenti revolucionar i miqve dhe i fanatikëve të futbollit. Interesi i vetëm një klubi s’mund të mbizotëronte, meqë aty ishte i pranishëm çdo klub Vjenez.

 

Ndikimi i futbollit në kulturën më të gjerë qartësohet nga karriera e qendër-sulmuesit të Rapid-it Josef Uridil. Ai erdhi nga paralagjet e Vjenës, nga një distrikt i klasës punëtore. Stili i tij i fortë i lojës madhërohej si një shëmbëllim i rrënjëve proletare të klubit. A ishte heroi i parë i futbollit të kafenesë, dhe në vitin 1922 atij iu kushtua një këngë nga artisti i mirënjohur i kabaresë Hermann Leopold, "Heute spielt der Uridil," e cila ishte aq e suksesshme, saqë përhapi famën e tij edhe tek ata që nuk u interesonte futbolli. Ai filloi të reklamonte një sërë produktesh, nga sapuni deri te lëngu i frutave, dhe, nga shkurti i vitit 1924, u paraqit në sallën e Muzikës ndërsa në të njëjtën kohë filmi Pflicht und Ehre, ku ai merrte pjesë, po shfaqej nëpër kinema.

 

Ishte ky ambienti ku shpërtheu Wunderteam i Hugo Meisle. Ky trend, nëpër vitet e njëzeta, vetëm sa shkonte e rritej. Pavarësisht një nisme jo të mirë, ata humbën për pak në Kupën përuruese Dr. Gerö, një kampionat i ligës tridhjetë muajshe, ku përfshihej edhe Çekosllovakia, Hungaria, Italia dhe Zvicra. Pasi humbën tri nga katër lojërat e hapjes, ata mundën keqas Hungarinë me 5-1 dhe fituesin eventual, Italinë, me 3-0, duke përfunduar të dytët me një pikë më pak. Në Cafe Ring, ata përnderonin, kënaqnin dhe agjitonin për seleksionin e Mathias Sindelar, një sulmues i talentuar, pothuaj cerebral, nga Austria Vienna, një klub që për së afërmi identifikohej me borgjezinë çifute.

 

Ai ishte një stil i ri në qendër-sulm. Ai kishte aq shtat të dobët, saqë iu vu nofka “Der Papierene” (Njeriu i lehtë) dhe “Mocarti i futbollit.” Tek ai gjendej njëfarëlloj gjeniu, që i shtynte shkruesit të krahasonin kreativitetin e tij më të tyrin: “Ai kishte një ndjesi të hollë për kohën dhe për dramatizim, një përzierje e spontanitetit me mjeshtërinë.” Në koleksionin e tij të 1978 "Die Erben der Tante Jolesch," Friedrich Torberg, një nga shkruesit më të shquar të kafenesë, shkroi se: “Sindelar kishte aq dhunti të madhe të variacioneve të ideve, saqë njeriu asnjëherë s’mund të ishte i sigurt çka të priste prej tij. Ai s’kishte sistem a model të caktuar. Ai thjesht ishte një gjeni.”

 

Për Wunderteam ky ishte vetëm fillimi. Duke luajtur një 2-3-5 tradicionale, me një qendër që sulmonte me elegancë në formën e Josef Smistik, por me një qendër-sulm të pazakontë, që nxiste aso rrjedhshmërie e cila e bëri të njohur si “Vorbulla e Danubit,” Austria fitoi nëntë dhe barazoi në dy nga njëmbëdhjetë lojërat e tyre, duke shënuar 44 gola dhe duke fituar edicionin e dytë të Kupës Dr. Gerö. Kafenetë ishin të ngazëllyera: mënyra e tyre e bërjes së gjërave triumfoi në masë të madhe, për shkak të Sindelarit, një lojtari që, për syrin e tyre romantik, ishte mishërim i kafenesë.

 

Kështu, mënyra moderne e të kuptuarit dhe e të diskutuarit të lojës u shpik në kafenenë e Vjenës.

 

Shkëputur nga "Inverting the Pyramid: A History  of Football Tactics," e Jonathan Wilson.