Çaji i gjetheve të kafesë është pija e re më interesante

Çaji i gjethes së kafesë jo vetëm që është i shijshëm dhe ushqyes, por po ashtu ofron një burim më të qëndrueshëm të hyrash për kultivuesit në Amerikën Latine.

 

Dy ndërmarrës të rinj dolën me idenë që mund të revolucionarizojë industrinë e kafesë. Max Rivest dhe Arnaud Petitvallet qenë student të diplomuar në Francë, kur kuptuan se bima e kafesë ka më shumë sesa kokrrën e popullarizuar të saj. Gjethet mund të shndërrohen në një çaj të shijshëm, me shije të pastër, me sasi të pakët të kafeinës (diçka si kafja pa kafeinë) dhe, për habi, plot me poli-fenolë dhe antioksidantë, bile më shumë se çaji i gjelbër. Këta dy shpresojnë aq shumë për zbulimin e tyre, saqë themeluan një kompani të re të quajtur Wize Monkey me seli në Vankuver, Kanadë.

 

Çaji me gjethe kafeje ofron modelin alternativ të prodhimit për vendet që prodhojnë kafe. Kafja është malli i dytë më i tregtuar në botë, por ajo vilet vetëm për tre muaj të vitit, zakonisht nga dhjetori në mars. Kjo krijon një paqëndrueshmëri të madhe ekonomike në regjionet që prodhojnë kafenë, ku 90 % e punëtorëve të fermës mbeten pa punë për 9 muajt e tjerë. Shumë syresh migrojnë në qytete për të kërkuar punë, por kjo nuk thyen qarkun e varfërisë.

 

Vjelja e gjetheve, në anën tjetër, është një punë e vazhdueshme, që nuk kufizohet me një sezonë të veçantë. Kjo ofron një opsion dytësor për fermerët të cilët duan një burim të rregullt të hyrash, që nuk ndikohet lehtë nga çmimet jostabile të kafesë.

 

Çaji i gjetheve të kafesë kërkon prodhim të dedikuar, që do të thotë se një fermer nuk mund të vjelë gjethet dhe kokrrat nga bima e njëjtë, por themeluesit e Wize Monkey besojnë se shumë fermerë do ta bënin ndërrimin, me kushtin që tregu të jetë aty dhe të fitojnë më shumë.

 

Mbetet të shihet nëse pirësit e kafesë dhe të çajit do ta përqafojnë pijen e re. Deri tani përshtypjet e para janë pozitive. “Freskues,” “që nuk lë gjurmë shijeje,” “e çiltër,” janë disa nga përshkruesit e përdorur nga njerëzit që u qenë dhënë mostrat. Profili ushqyes i çajit është mjaft impresionues./treehugger